Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

News

Rikthehen Garat Tradicionale me Kuaj dhe Karroca në Roskovec, më 26–27 Qershor 2026

Bashkia Roskovec njofton rikthimin e një prej traditave më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore: Garat tradicionale me kuaj dhe karroca.

Kjo ngjarje, e rrënjosur thellë në historinë dhe jetën e zonës së Myzeqesë, Strumit dhe Matkës, përfaqëson një vlerë të veçantë të identitetit tonë lokal, duke promovuar kulturën, bashkimin komunitar dhe respektin për traditat bujqësore e blegtorale .

Aktiviteti do të zhvillohet më 26 dhe 27 Qershor 2026, në #Roskovec dhe #Strum, pranë Kishës së Shën Gjergjit, sipas programit zyrtar të aktivitetit.

Ftojmë të gjithë qytetarët, vizitorët dhe dashamirësit e traditës që të bëhen pjesë e këtij eventi të veçantë , i cili synon të sjellë në jetë një trashëgimi të çmuar dhe të promovojë vlerat kulturore të zonës sonë.

Në Roskovec, aty ku tradita rikthehet në jetë!

Kliko këtu për  ➤  Programin 

 

Duke Ndërtuar Qeverisje më të Mirë së Bashku: Vizitë në Bashkinë Pogradec


Në kuadër të zbatimit të projektit “Qeverisje e Mirë përmes Pjesëmarrjes Aktive në Bashkëfinancimin e Projekteve”, Kryetarja e Bashkisë, znj. Majlinda Bufi, së bashku me grupin e dedikuar të këtij projekti, zhvilluan një vizitë zyrtare në Bashkinë Pogradec, me synim prezantimin e kësaj iniciative inovative të Bashkisë Roskovec dhe shkëmbimin e përvojave mbi praktikat e mira në fushën e qeverisjes vendore, transparencës dhe përfshirjes aktive të komunitetit, në përputhje me standardet dhe parimet e Bashkimit Europian.
Grupi i dedikuar i projektit u prit nga Kryetari i Bashkisë, z. Ilir Xhakolli, së bashku me kabinetin e tij dhe stafin e angazhuar në zhvillimin dhe zbatimin e praktikave të mira, ku gjatë takimit u shkëmbyen përvoja konkrete dhe modele funksionale që kontribuojnë në rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe forcimin e një administrate të hapur, efikase dhe të orientuar drejt qytetarit.
Më tej, grupi vizitoi disa nga qendrat dhe shërbimet komunitare të Bashkisë Pogradec (Teatrin eKukullave, Qendrën Multifunksionale dhe Qendrën Rinore), ku u prezantuan praktika konkrete që kontribuojnë në fuqizimin social dhe ekonomik të grupeve vulnerabël, në veçanti komuniteteve rome dhe egjiptiane, të rinjve, grave dhe personave me aftësi të ndryshme, duke promovuar përfshirjen sociale, barazinë gjinore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit.
Vizita përforcoi rëndësinë e mekanizmave të bashkëfinancimit si instrument për rritjen e transparencës, nxitjen e pjesëmarrjes qytetare dhe forcimin e llogaridhënies në nivel vendor.
Ky takim përbën një hap konkret drejt konsolidimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, nxitjes së inovacionit në qeverisjen vendore dhe ndërtimit të partneriteteve të qëndrueshme në funksion të integrimit europian dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Njoftim zyrtar mbi vjeljen e tarifës së vaditjes

Në mbështetje të Ligjit nr. 139/2015, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, neni 8, pika 2; Ligjit nr. 24/2017 “Për administrimin e ujitjes dhe kullimit”; Ligjit nr. 89/2022 “Për Policinë Bashkiake”; Ligjit nr. 10 279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative”; Ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar; Ligjit nr. 9920 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; si dhe Vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 70, datë 24.12.2025 “Për miratimin e paketës fiskale për vitin 2026”:

I. Bashkia ka vendosur të sistemojë dhe ristrukturojë mënyrën e vjeljes së tarifave të shërbimit të ujitjes, miratuar me Vendimin e Këshillit të Bashkisë nr. 70, datë 24.12.2025, “Për miratimin e paketës fiskale për vitin 2026”, Kreu II, pika 16/II.16 “Tarifa të tjera”, të gjitha këto tarifa ekzistuese.

II. Vjelja e detyrimeve:
▪️Struktura përgjegjëse për vjeljen e tarifës është Sektori i Ujitjes dhe Kullimit në Drejtorinë e Zhvillimit Rural, pranë Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike.
▪️Punonjësit e autorizuar bëjnë llogaritjen e detyrimit dhe faturimin për çdo fermer,
▪️Punonjësit e faturimit orientojnë fermerët që pagesat t’i kryejnë:
pranë njësive administrative Kurjan, Kuman dhe Strum
ose në Postën Shqiptare ose sporteli në Sallën me një ndalesë Godina e e Bashkisë, për fermerët në Roskovec
▪️Informacioni mbi faturimet përcillet çdo ditë në Drejtorinë Ekonomike.
▪️Fermerët që nuk kanë shlyer detyrimet regjistrohen në listën e debitorëve dhe fillon mbledhja me forcë e detyrimit.

III. Afatet dhe penalitetet
Afati i shlyerjes së detyrimit është 30 ditë nga data e lëshimit të faturës.
Në rast vonese, aplikohet kamatëvonesë 0.5% në ditë, por jo më shumë se 10% e vlerës së faturës.

IV. Masat ndaj debitorëve
Në rast mospagese brenda 30 ditëve, Bashkia Roskovec ndërpret shërbimin e ujitjes.
Nëse edhe pas ndërprerjes së shërbimit detyrimi nuk shlyhet, vijon mbledhja me forcë sipas legjislacionit për procedurat tatimore.

V. Konstatimi i kundërvajtjeve
Në rast se fermeri vijon në mënyrë të paligjshme përdorimin e ujitjes edhe pas ndërprerjes së shërbimit:
Policia Bashkiake, në mbështetje të Ligjit nr. 89/2022 “Për Policinë Bashkiake”, kryen:
▪️verifikimin e identitetit
▪️procedurat administrative përkatëse
▪️mbajtjen e procesverbalit të kundërvajtjes
▪️Vendoset gjobë sipas përcaktimeve të paketës fiskale.
▪️Personi njoftohet zyrtarisht me shkresë.
▪️Çdo konstatim shoqërohet me:
▪️procesverbal të firmosur
▪️dokumentim fotografik

Takimi i tretë informues në kuadër të thirrjes për “Qeverisje e mirë nëpërmjet projekteve me bashkëfinancim”

U zhvillua takimi i tretë informues me bizneset vendase në kuadër të thirrjes për bashkëfinancim
Në vijim të nismës “Qeverisje e mirë nëpërmjet projekteve me bashkëfinancim”, Bashkia Roskovec zhvilloi takimin e tretë informues me përfaqësues të bizneseve vendase, me synim informimin e tyre mbi thirrjen për aplikim, dokumentacionin përkatës dhe mundësitë për përfshirje në iniciativa me interes për komunitetin.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit u njohën më nga afër me konceptin e bashkëfinancimit dhe me disa nga idetë për projekte konkrete të propozuara në takimet e mëparshme me grupe të tjera interesi në komunitet. Diskutimet u fokusuan në rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet bashkisë dhe sektorit privat për përmirësimin e infrastrukturës lokale, rritjen e cilësisë së jetesës dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm në komunitet.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Bashkisë Roskovec, znj. Majlinda Bufi, falënderoi bizneset pjesëmarrëse për interesin dhe angazhimin, duke theksuar se kjo nismë përfaqëson një mundësi konkrete për sektorin privat lokal për të kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e komunitetit.
Takimi përmbyllës do të zhvillohet më 26 mars 2026.
Formulari i aplikimit dhe dokumentacioni përkatës janë publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Roskovec.
Afati i fundit për aplikim: 31.03.2026