Takim koordinues për projektin “Climate Pathways 4 Roskovec – CP4R”
Më 8 shtator 2026, në Bashkinë Roskovec u zhvillua takimi koordinues ndërmjet grupit të punës së Bashkisë dhe ekspertëve të angazhuar në kuadër të projektit “Climate Pathways 4 Roskovec (CP4R)”, pjesë e programit Pathways2Resilience (P2R). Bashkia Roskovec është lider i projektit, ndërsa organizata ETMI është partnere në zbatimin e tij.
Kryetarja e Bashkisë Roskovec, znj. Majlinda Bufi, vlerësoi angazhimin e grupit të punës dhe të ekspertëve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit, koordinimit dhe përgjegjësisë së përbashkët për zbatimin cilësor dhe në kohë të projektit.
Gjatë takimit u diskutua mbi:
- progresin e deritanishëm të projektit;
- aktivitetet e planifikuara për muajin shtator;
- ndarjen e roleve dhe përgjegjësive ndërmjet stafit dhe ekspertëve;
- koordinimin e tre aktiviteteve me grupet e interesit të parashikuara gjatë muajit shtator;
- dokumentimin, komunikimin dhe vizibilitetin e aktiviteteve dhe rezultateve të projektit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përgatitjes së aktiviteteve që do të angazhojnë komunitetin, fermerët, përfaqësuesit e sektorëve vendorë dhe aktorë të tjerë të interesuar në identifikimin dhe adresimin e rreziqeve dhe sfidave klimatike në territorin e Bashkisë Roskovec.
Projekti CP4R synon të forcojë kapacitetet vendore për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, të nxisë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe komunitetit, si dhe të kontribuojë në ndërtimin e një territori më të qëndrueshëm dhe më rezilient ndaj ndikimeve klimatike.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit dakordësuan hapat konkretë, përgjegjësitë dhe afatet për aktivitetet e muajit shtator, duke konfirmuar angazhimin e përbashkët për realizimin me cilësi dhe brenda afateve të objektivave të projektit.




0 Comments