Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Bashkia

Bashkia Roskovec zhvillon vizitë studimore në Bashkinë Lezhë në kuadër të Programit për Qeverisjen e Mirë

Bashkia Roskovec, nën drejtimin e Kryetares së Bashkisë, znj. Majlinda Bufi, përmbylli vizitën studimore dyditore në Bashkinë Lezhë, e zhvilluar më 12–13 korrik 2026, në kuadër të Programit për Qeverisjen e Mirë.

Delegacioni, i përbërë nga 14 përfaqësues të Bashkisë Roskovec, u prit nga Kryetari i Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu. Vizita nisi me një takim zyrtar në zyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe vijoi me një sesion pune në sallën e takimeve pranë Bibliotekës së Qytetit.

Gjatë fjalëve përshëndetëse, të dy kryetarët vlerësuan rëndësinë e shkëmbimit të praktikave të mira ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndarjes së zgjidhjeve praktike që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike për qytetarët.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Bashkisë Roskovec, znj. Majlinda Bufi, u shpreh:
“Kjo vizitë studimore përbën një mundësi të vlefshme për të mësuar nga përvoja e Bashkisë Lezhë dhe për të diskutuar mënyra konkrete për përshtatjen e praktikave të suksesshme në Bashkinë Roskovec. Bashkëpunimi ndërmjet bashkive është një instrument i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e qeverisjes vendore dhe ofrimin e shërbimeve publike më cilësore për qytetarët.”

Në vijim të programit, Bashkia Lezhë prezantoi praktika dhe iniciativa në fushën e qeverisjes vendore, ofrimit të shërbimeve publike, zhvillimit territorial, turizmit, mbrojtjes së mjedisit, komunikimit publik, transparencës dhe menaxhimit të projekteve. Prezantimi u realizua nga znj. Vasilika Laska, Drejtore e Drejtorisë së Projekteve Strategjike, Çështjeve Evropiane, Migracionit, Diasporës, Komunikimit dhe Transparencës.

Diskutimet dhe vizitat në terren u fokusuan në shkëmbimin e përvojave, krahasimin e praktikave administrative, identifikimin e sfidave të përbashkëta dhe eksplorimin e mundësive për bashkëpunim në drejtim të përmirësimit të shërbimeve publike, menaxhimit të mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe promovimit të potencialeve territoriale.

Gjatë vizitës, delegacioni u njoh gjithashtu me ambientet e Muzeut Etnografik, Muzeun Arkeologjik, Sallës së Këshillit Bashkiak, Pallatit të Kulturës, Galerisë së Arteve, si dhe me hapësirat e dedikuara për zhvillimin e aktiviteteve artistike dhe kulturore.

Kjo vizitë studimore shërbeu si një platformë efektive për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërmjet dy bashkive, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe konsolidimin e bashkëpunimit ndërvendor, në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë dhe standardet evropiane të administrimit publik.

Rikthehen Garat Tradicionale me Kuaj dhe Karroca në Roskovec, më 26–27 Qershor 2026

Bashkia Roskovec njofton rikthimin e një prej traditave më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore: Garat tradicionale me kuaj dhe karroca.

Kjo ngjarje, e rrënjosur thellë në historinë dhe jetën e zonës së Myzeqesë, Strumit dhe Matkës, përfaqëson një vlerë të veçantë të identitetit tonë lokal, duke promovuar kulturën, bashkimin komunitar dhe respektin për traditat bujqësore e blegtorale .

Aktiviteti do të zhvillohet më 26 dhe 27 Qershor 2026, në #Roskovec dhe #Strum, pranë Kishës së Shën Gjergjit, sipas programit zyrtar të aktivitetit.

Ftojmë të gjithë qytetarët, vizitorët dhe dashamirësit e traditës që të bëhen pjesë e këtij eventi të veçantë , i cili synon të sjellë në jetë një trashëgimi të çmuar dhe të promovojë vlerat kulturore të zonës sonë.

Në Roskovec, aty ku tradita rikthehet në jetë!

Kliko këtu për  ➤  Programin 

 

Duke Ndërtuar Qeverisje më të Mirë së Bashku: Vizitë në Bashkinë Pogradec


Në kuadër të zbatimit të projektit “Qeverisje e Mirë përmes Pjesëmarrjes Aktive në Bashkëfinancimin e Projekteve”, Kryetarja e Bashkisë, znj. Majlinda Bufi, së bashku me grupin e dedikuar të këtij projekti, zhvilluan një vizitë zyrtare në Bashkinë Pogradec, me synim prezantimin e kësaj iniciative inovative të Bashkisë Roskovec dhe shkëmbimin e përvojave mbi praktikat e mira në fushën e qeverisjes vendore, transparencës dhe përfshirjes aktive të komunitetit, në përputhje me standardet dhe parimet e Bashkimit Europian.
Grupi i dedikuar i projektit u prit nga Kryetari i Bashkisë, z. Ilir Xhakolli, së bashku me kabinetin e tij dhe stafin e angazhuar në zhvillimin dhe zbatimin e praktikave të mira, ku gjatë takimit u shkëmbyen përvoja konkrete dhe modele funksionale që kontribuojnë në rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe forcimin e një administrate të hapur, efikase dhe të orientuar drejt qytetarit.
Më tej, grupi vizitoi disa nga qendrat dhe shërbimet komunitare të Bashkisë Pogradec (Teatrin eKukullave, Qendrën Multifunksionale dhe Qendrën Rinore), ku u prezantuan praktika konkrete që kontribuojnë në fuqizimin social dhe ekonomik të grupeve vulnerabël, në veçanti komuniteteve rome dhe egjiptiane, të rinjve, grave dhe personave me aftësi të ndryshme, duke promovuar përfshirjen sociale, barazinë gjinore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit.
Vizita përforcoi rëndësinë e mekanizmave të bashkëfinancimit si instrument për rritjen e transparencës, nxitjen e pjesëmarrjes qytetare dhe forcimin e llogaridhënies në nivel vendor.
Ky takim përbën një hap konkret drejt konsolidimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, nxitjes së inovacionit në qeverisjen vendore dhe ndërtimit të partneriteteve të qëndrueshme në funksion të integrimit europian dhe zhvillimit të qëndrueshëm.