Bashkia Roskovec zhvillon vizitë studimore në Bashkinë Lezhë në kuadër të Programit për Qeverisjen e Mirë
Bashkia Roskovec, nën drejtimin e Kryetares së Bashkisë, znj. Majlinda Bufi, përmbylli vizitën studimore dyditore në Bashkinë Lezhë, e zhvilluar më 12–13 korrik 2026, në kuadër të Programit për Qeverisjen e Mirë.
Delegacioni, i përbërë nga 14 përfaqësues të Bashkisë Roskovec, u prit nga Kryetari i Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu. Vizita nisi me një takim zyrtar në zyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe vijoi me një sesion pune në sallën e takimeve pranë Bibliotekës së Qytetit.
Gjatë fjalëve përshëndetëse, të dy kryetarët vlerësuan rëndësinë e shkëmbimit të praktikave të mira ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndarjes së zgjidhjeve praktike që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike për qytetarët.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Bashkisë Roskovec, znj. Majlinda Bufi, u shpreh:
“Kjo vizitë studimore përbën një mundësi të vlefshme për të mësuar nga përvoja e Bashkisë Lezhë dhe për të diskutuar mënyra konkrete për përshtatjen e praktikave të suksesshme në Bashkinë Roskovec. Bashkëpunimi ndërmjet bashkive është një instrument i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e qeverisjes vendore dhe ofrimin e shërbimeve publike më cilësore për qytetarët.”
Në vijim të programit, Bashkia Lezhë prezantoi praktika dhe iniciativa në fushën e qeverisjes vendore, ofrimit të shërbimeve publike, zhvillimit territorial, turizmit, mbrojtjes së mjedisit, komunikimit publik, transparencës dhe menaxhimit të projekteve. Prezantimi u realizua nga znj. Vasilika Laska, Drejtore e Drejtorisë së Projekteve Strategjike, Çështjeve Evropiane, Migracionit, Diasporës, Komunikimit dhe Transparencës.
Diskutimet dhe vizitat në terren u fokusuan në shkëmbimin e përvojave, krahasimin e praktikave administrative, identifikimin e sfidave të përbashkëta dhe eksplorimin e mundësive për bashkëpunim në drejtim të përmirësimit të shërbimeve publike, menaxhimit të mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe promovimit të potencialeve territoriale.
Gjatë vizitës, delegacioni u njoh gjithashtu me ambientet e Muzeut Etnografik, Muzeun Arkeologjik, Sallës së Këshillit Bashkiak, Pallatit të Kulturës, Galerisë së Arteve, si dhe me hapësirat e dedikuara për zhvillimin e aktiviteteve artistike dhe kulturore.
Kjo vizitë studimore shërbeu si një platformë efektive për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërmjet dy bashkive, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe konsolidimin e bashkëpunimit ndërvendor, në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë dhe standardet evropiane të administrimit publik.




0 Comments