Edhe ditën e premte 15 prill 2016 skena e Pallatit të Kulturës u mbush me zërat e gëzuar të nxënësve të shkollës “Naun Doko” Marinëz të cilët paraqitën para publikut shfaqen e bukur “Kulturë e Traditë”. Shfaqen e hapi me një përshëndetje të shkurtër drejtoresha e shkollës zj. Nevila Naka. Një grup vajzash kishin përgatitur nga një esse të shkurtër ku flitej për krahinën e Myzeqesë, për Roskovecin dhe Pazarin e tij, për zonën e Marinzës, për gatimet tradicionale, për ritin e dasmës etj. Të gjitha këto që shoqëroheshin edhe me pamje filmike, u dukën të improvizuara nga vetë nxënësit. Emocione të vecanta krijoi veçanërisht dasma, ku herë pala e nuses dhe herë ajo e dhëndrrit shkëmbenin urimet e rastit. Një çift simpatik, nusja dhe dhëndërri bënë xhiron para publikut.
Në skenë ishin ekspozuar vegla dhe pajisje të përdorimit tradicional shtëpiak si tundsi, djepja, kandili, tava, ibrik, pjata e gota interesante etj.
Gatimet tradicionale mbyllën këtë shfaqje që nuk do të harrohet për ritmin e gëzueshëm që sollën, por edhe për mesazhin që përcjellin këta nxënës të pasionuar, duke ruajtur e transmetuar traditat e Myzeqesë. Të pranishmit i përshëndeti edhe zëvendëskryetari i Bashkisë Roskovec z. Afrim Plaka. Është rasti të falendërojmë drejtoreshën zj. Nevila Naka si dhe gjithë stafin pedagogjik për punën serioze që kishin bërë, falenderojmë gjithë fëmijët që ishin aktorët kryesorë si dhe prindërit e tyre për mbështetjen që u japin fëmijëve. Ky spektakël le të shërbejë edhe si një përvojë për shkollat e tjera.

There are no comments yet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked (*).