Vështrim historik

Po të bëjmë një retrospektivë do të shohim se ndarja e parë territoriale, pas shkëputjes nga Perandoria Otomane është bërë në vitin 1923 dhe  Krahina e Roskovecit është inkuadruar si njësi më vete nën emërtimin Komuna “Tregu i Frasherit” në përbërje të Rrethit Qendër  të Qarkut Berat. Popullsia e kësaj krahine në këtë periudhë ka qenë 9413 banorë dhe përfshinte 32 fshatra.

Referuar gazetës zyrtare Nr. 21, datë 18.04.1929 në ndarjen territoriale të bërë në vigjilje të shpalljes së Shqipërisë Monarki, në fund të vitit 1928, Krahina e Roskovecit ka vazhduar të përfshihet në Rrethin Qendër të qarkut të Beratit me emërtimin “Komuna “Tregu i Frashërit”.

Popullsia e kësaj komune në fund të vitit 1928 ishte 7632 frymë dhe përmblidhte 25 fshatra si më poshtë: Arapaj, Cukalat, Çiflik- Strum, Çomlekaj, Donofrose, Drenovice, Ngjeqar, Hallambrezi, Jagodine, Kuman, Kumaraka, Kurjan, Luar, Marinze, Matke, Pobrat, Rërëz, Roskovec,   Sllanice, Stamatica, Strum, Suk, Velmish, Vidhishte dhe Ngraçie e përfshirë vetëm në ndarjen administrative të vitit 1923. U shënuan të gjithë fshatrat sepse këto vendbanime përbëjnë atë që historikisht është thirrur “Krahina e Roskovecit”.

Me rritjen e popullsisë (vlen të theksohet se statistikat zyrtare dhe vjetarët statistikorë tregojnë se krahina e Roskovecit është një nga zonat me natalitetin (lindshmërine) më të lartë në Republikë, jo vetëm kaq, por kjo lindshmëri ka qenë në rritje progesive lineare për periudha relativisht të gjata.

Në ndarjen administrative të vitit 1953 Krahina e Roskovecit me të drejtë fitoi statusin e rrethit me emërtimin “Rrethi i Roskovecit” që përfshinte po ato territore që kishte më parë “Komuna “Tregu i Frashërit” me një popullsi rreth 40 000 banorë.

Në vitin 1956 ky status degradoi dhe Roskovecit ju dha statusi i lokalitetit në përbërje të rrethit të Fierit. Ky degradim dhe kalimi nga rrethi i Beratit në rrethin e Fierit veç të tjerash solli  shkatërrimin e atij që ishte epiqendra e jetës ekonomike të krahinës sonë “Pazarit të Madh të Roskovecit” , meqë ekzistenca e tij binte ndesh me idetë e ekonomisë së centralizuar që po aplikonte regjimi i kohës. (Megjithatë Pazari i mbijetoi edhe atij sistemi). Mjerisht në atë periudhë Krahina e Roskovecit kishte një inteligjencë të paformuar dhe të pakët në numër. Duke qenë se shumica dërrmuese e kuadrove drejtuese të rrethit të Roskovecit nuk ishin të lindur dhe të rritur këtu, reagimi ndaj degradimit të statusit të tij nuk ishte i fortë. Që më 1958 Roskoveci artikulohet si qytet në një urdhëresë të qeverisë me nr. 22, datë 11.11.1958. Edhe në vitet e mëvonshme ky status nuk solli asgjë pozitive për gjithë fshatrat e Krahinës së Roskovecit. Ato mbetën të shpërndara  në 7 ish- komuna, në një qytet, në tre rrethe dhe dy qarqe.

Por me hartën e re, pas miratimit të ndarjes se re administrative-territoriale ne vitin 2015 , Roskoveci mbajti statusin e “Bashkisë” si një nga 61 bashkitë e vendit tonë. Pozitiv është fakti se kjo bashki rifitoi territoret e saj duke përfshirë edhe fshatrat e ish-komunave Strum , Kuman e Kurjan.

Aktualisht përfshihen 14 fshatra, me një popullsi prej rreth 32 163 banorë, sipas rregjistrit të Gjendjes Civile.

Këshilli bashkiak  miratoi ditën e festës lokale  që është 24 korriku, si dita e konstituimit, por që kalon përtej këtij koncepti, sepse Roskoveci me hartën e re rifitoi territoret e mohuara për gati një shekull.

Në zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015 kryetare e Bashkisë Roskovec është zgjedhur  zj. Majlinda Bufi.

  • Qendra e Bashkisë është në Roskovec dhe ka në përbërje edhe 3 Njësi Administrative,Kuman, Kurjan dhe Strum
  • Sipas studimeve dhe gjurmimeve arkeologjike pranë Roskovecit ka kaluar një degëzim i rrugës EGNATIA, ku siç pranojnë studiuesit ka kaluar edhe Çezari i Romës.
  • Dallohet në këtë zonë Kisha e Shën Kollit në Kurjan, kishë e stilit bizantin e ndërtuar me tulla dhe e shtruar me rrasa guri. Kisha është e ndërtuar në shekullin e 13-të dhe ndihet jehona e stilit romantik që erdhi në vendin tonë me  pushtimin e Mbretërisë së Napolit. Aty vërtetohet se në  vitin 1578 në këtë  kishë ka punuar për zbukurimin e saj Nikolla, i biri Onufrit dhe një piktor tjetër i quajtur Johan, prejardhja e të cilit nuk dihet. Gjithashtu në Strum ndodhet edhe Kisha e Shën Gjergjit e ndërtuar rreth shek. 17-të.
  • Krahina jonë ka jo vetëm siperfaqen e nevojshme  të tokës bujqësore, me sistem bonifikimi model, por dhe me një popullsi  aktive me përvojë në fushën prodhimit bujqësor, (ku merreshin rendimentet më të larta në grurë, misër, pambuk, perime).
  • Në Roskovec ndodhet një nga rezervurët më të mëdhenj dhe produktiv që i jep jetë Myzeqesë, pa të cilin nuk do të quhej “hambari i Shqipërisë”. I ndërtuar në një vend të studiuar, ky rezervuar filloi të vihet në punë në vitin 1960 dhe kishte rreth 33 milion metër kub ujë. Shumë pranë tij ndodhet edhe një lagunë kënetore e që njihet me emrin “këneta e zezë”.
  • Në prodhimin blegtoral ishte shkollë përvoje për rritjen e derrit (njihet shkencërisht specia “derri i Roskovecit”, studim i cili njihet edhe në Amerikë,), me traditë të veçantë në prodhimin dhe përpunimin e duhanit (ndaj një varietet duhani i njohur në Europë ka emrin “Roskoveci”).
  • Po kështu edhe për ullirin e vreshtat që zënë sipërfaqe të konsiderueshme në zonën kodrinore të krahinës.
  • Por faktori më i rëndësishëm që garanton zhvillim të qendrueshëm ekonomik të krahinës është pasuria nëntokësore, siç është nafta që shfrytëzohet në fushat e Marinzës, Belinës dhe Jagodinës.
  • Roskoveci njihet si zonë arsimdashëse ndaj dhe shkollat e para u hapën menjëherë pas vitit 1901 -1910. Jo pak e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Roskovecit ,është ajo armatë e madhe intelektualësh, gjithnjë në rritje, me djem dhe vajza që mbarojnë studimet e larta, madje shumica me grada dhe tituj shkencorë.Emra të njohur në diplomaci, ekonomi, në fushën e artit e kulturës, të letërsisë e gazetarisë, botues e mbi të gjitha një armatë e madhe arsimtarësh.

Shumë djem e vajza vazhdojnë studimet në degë të ndryshme të universiteteve brenda dhe jashtë vendit.