NJË VEPRIMTARI ME VLERA MBARËKOMBËTARE
Sot ishte një ditë e veçantë për qytetin e Roskovecit dhe jo vetëm. Salla e bibliotekës së qytetit Roskovec u mbush plot me lexues, mësues e drejtues të shkollave, të interesuar, me bashkëqytetarë. Ishte publikur një takim me shkrimtarin Mystehak Xhemali në bibliotekën e qytetit tonë. Se kush është Mystehaku e dinë të gjithë ata që kanë punuar me artin dhe kulturën. Tashmë profilit të tij i shtohen dhe krijimet në fushën e letërsisë artistike. Mystehaku kthehej këtu në kryeqendrën e Bashkisë, në Roskovec sepse e do vendin e tij. Po këtë herë ishte ndryshe, krejt ndryshe. Ai kthehej si një krijues me 8 libra të botuar, kthehej si një intelektual që i ka dhënë tonin jetës kulrurore në Fier dhe jo vetëm. Mbi të gjitha nuk ka harruar rrënjët e tij; Kurjanin dhe Roskovecin. Për këtë u organizua sot një promovim i profilit të tij dhe i krijimtarisë që vazhdon të rrjedhë si uji i kristaltë.
Me një skenar të mirorganizuar takimi filloi me dhurimin e luleve për krytaren e Bashkisë Roskovec znj. Majlinda BUFI e cila mbështet çdo projekt kulturor si dhe një tufë me lule për shkrimtarin e njohur në nivel kombëtar z. Mystehak Xhemali.
Në takim folën botuesja e nderuar znj. Bukuroshe Xhemalaj, redaktorët Përparim Hysi, Faslli Canaj dhe një mik i veçantë jo vetëm për panelin por edhe për ne; Myslym Pashaj, koloneli legjandar që diti me aq profesionalizëm t’u japë përgjigjen e merituar piratëve të detit që donin të grabitnin pjesë nga harta kombëtare e Shqipërisë.
Në këtë takim duhet të vlerësojmë përshëndetjen e kryetares së Bashkisë Roskovec znj. Majlinda BUFI e cila vlerësoi aktivitetin dhe falenderoi pjesëmarrësit për dhurimin e shumë librave që i shtohen fondit të bibliotekës së qytetit tonë.
Falenderojmë drejtuesit e shkollave, mësuesit dhe nxënësit që kishin përgatitur esse për librat e autorit dhe disa krijime të tyre. Më këtë rast u deklarua i hapur Klubi i Letrarëve të rinj. Krijimet e tyre do të publikohen në një portal brenda faqes “Pallati i Kulturës Roskovec”.
Falenderojmë punonjësen e bibliotekës znj. Eralda Duraj për seriozitetin në organizimin e veprimtarisë, moderatoren e talentuar dhe poeteshën e re Stelina Myftarago që e drejtoi me profesionalizëm këtë veprimtari.
Ndiqni mesazhin e kryetares së Bashkisë znj. Majlinda BUFI dhe fotoreportazhin.