Sot me 23 maj 2016 tek biblioteka e qytetit në Pallatin e Kulturës Roskovec u organizua një ceremoni modeste me titull “Takim me talentet”. Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës, mësues, prindër, botues, etj.
Mori pjesë dhe përshëndeti zëvendëskryetari i Bashkisë Roskovec z. Afrim Plaka.

Programin e aktivitetit e çeli promovimi i librit “Korçarja e vogël” me autore Stelina Myftarago, e cila është nxënëse në shkollën “Alush Grepcka”. Moderatorja e aktivitetit dhe punonjese në bibliotekë znj. Elfrida Goga foli rreth jetës së autores. Ndërsa vetë Stelina foli për procesin krijues, për hapat e parë në rrugën e bukur të krijimtarisë. Drejtori i Kulturës Thoma Goga në diskutimin e tij, vlerësoi shumë poezitë e Stelinës për figuracionin, tematikën, lirshmërinë e vargjeve. Disa nga shoqet e autores recituan poezi të zgjedhura.

Pastaj u prezantua gazeta që doli në shkollën “Sabri Refiti” të Ngjeqarit. Gazeta mban titullin “MIMOZAT”. Kjo gazetë e bërë nga vetë nxënësit e kësaj shkolle sjell një risi, freski dhe pasqyron edhe jetën në një fshat të largët sic është Ngjeqari. Mësuesja e talentuar Juli Myftari bëri një ekspoze të përmbajtjes dhe autorëve që ishin edhe të pranishëm.

Dy gjimnazistet Ana Kuqo dhe Bleona Sina folën për pasionin e tyre; e para për aktrim dhe e dyta në fushën e muzikës.

Dhe në fund një fitimtare; Nikita Kola që së bashku me vëllain dhe motrën e saj kanë fituar kohët e fundit një kupë në kompeticionet kombëtare.

Pallati I Kulturës do të organizojë edhe takime të tjera për të tjerë talente që sot nuk kishin mundësi të vinin. Të gjithë talenteve u urojmë suksese.

There are no comments yet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked (*).