NË PRAG TË FILLIMIT TË SHKOLLËS
Në prag të fillimit të vitit të ri mësimor 2016-2017 në sallën e Pallatit të Kulturës Roskovec u zhvillua një takim i zgjeruar. Në këtë takim merrnin pjesë drejtorë të shkollave në territorin e Bashkisë Roskovec, drejtues të bordeve, udhëheqës artistik si dhe edukatore të kopshteve. Ndodheshin gjithashtu kryetarja e Bashkisë Roskovec zj. Majlinda BUFI, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Fier, z. Shkëlqim Allkaj.
Zonja Majlinda BUFI, pasi u uroi fillim të mbarë të vitit të ri mësimor dhe falenderoi pjesëmarrësit për angazhimin e tyre në zgjidhjen e problemeve emergjente të sistemit të arsimit, informoi për punën e mirë që ka bërë dhe bën Bashkia jonë lidhur me riparimet dhe krijikmin e kushteve optimale për fillimin e shkollës.
Drejtori i Kulturës, Arsimit dhe Sportit, z. Thoma Goga paraqiti një ekspoze të shkurtër të veprimtarive kulturore artistike e sportive që janë zhvilluar në bashkëpunim edhe me shkollat gjatë vitit të kaluar mësimor. Ai shprehu gatishmërinë se edhe viti i ri mësimor do të karakterizohet nga fryma e bashkëpunimit.
Zoti Shkëlqim Allkaj e vuri theksin te zbatimi i ligjshmërisë në sistemin arsimor. Ai gjithashtu sqaroi situatën aktuale për ndarjen e teksteve shkollore. Me kërkesë të disa prindërve nga fshati Jagodinë, z. Allkaj sqaroi në të njëjtën kohë problematikën për shkollën vartëse të këtij fshati.