Takimi i dytë informues në kuadër të thirrjes për “Qeverisje e mirë nëpërmjet projekteve me bashkëfinancim”
Në kuadër të thirrjes për projekte “Qeverisje e mirë nëpërmjet projekteve me bashkëfinancim”, Bashkia Roskovec, përmes grupit të punës, organizoi takimin e dytë informues me komunitetin. Takimet u zhvilluan në Lagjen Nr. 1, rruga “Selim Çepelë”, Roskovec dhe në Lagjen e Komunitetit Rom, rruga e Liqenit të Kurjanit.
Takimet u karakterizuan nga pjesëmarrje e mirë dhe angazhim aktiv i qytetarëve, të cilët shprehën interes për t’u informuar mbi kushtet dhe procedurat e aplikimit në këtë thirrje. Diskutimet u fokusuan në rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në vendimmarrje dhe në mundësitë konkrete që ofron skema e bashkëfinancimit për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve lokale.
Gjatë takimeve, qytetarët propozuan dy ide konkrete projektesh: ndërtimin e një sheshi lojërash për fëmijë nga banorët e Lagjes Nr. 1 dhe përmirësimin e rrugës dhe ndriçimit publik në Lagjen e Komunitetit Rom. Po ashtu, pjesëmarrësit u dakordësuan për përfaqësuesit që do të aplikojnë në emër të komunitetit.
Në emër të grupit të punës, Sekretarja e Përgjithshme e Bashkisë Roskovec, znj. Delina Hoxha, dhe Drejtoresha e Departamentit të Financës, znj. Orgesa Goga, iu përgjigjën pyetjeve të qytetarëve dhe ofruan sqarime të detajuara mbi aspektet teknike të bashkëfinancimit dhe procesin e aplikimit.
Gatishmëria e qytetarëve për të kontribuar në natyrë në të dy lagjet dëshmon një nivel të lartë angazhimi dhe përgjegjësie komunitare, duke krijuar një bazë të fortë për zbatimin e projekteve të përbashkëta.
Në vijim të këtij procesi, grupi i punës ka planifikuar zhvillimin e takimit të radhës informues më 24 mars 2026 me përfaqësues të bizneseve në Bashkinë Roskovec, si dhe vijimin e takimeve të tjera me komunitetin për të nxitur pjesëmarrjen dhe aplikimin në këtë thirrje.



0 Comments