Funksionet dhe detyrat e A.P
Funksionet e bashkive në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike
Në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, bashkitë janë përgjegjëse në
territorin e juridiksionit të tyre për:
1. Prodhimin, trajtimin, transmetimin dhe furnizimin me ujë të pijshëm.
2. Mbledhjen, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura.
3. Mbledhjen dhe largimin e ujërave të shiut dhe mbrojtjen nga përmbytjet në zonat e
banuara.
4. Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve vendore dhe sinjalizimit rrugor, të
trotuareve dhe shesheve publike vendore.
5. Ndriçimin e mjediseve publike.
6. Transportin publik vendor.
7. Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e varrezave publike, si dhe garantimin e
shërbimit publik të varrimit.
8. Shërbimin e dekorit publik.
9. Parqet, lulishtet dhe hapësirat e gjelbra publike.
10. Mbledhjen, largimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe shtëpiake.
11. Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave arsimore të sistemit shkollor
parauniversitar, me përjashtim të shkollave profesionale.
12. Administrimin dhe rregullimin e sistemit arsimor parashkollor në kopshte dhe çerdhe.
13. Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave të shërbimit parësor
shëndetësor dhe zhvillimin e aktiviteteve edukuese e promovuese në nivel vendor, të cilat
lidhen me mbrojtjen e shëndetit, si dhe administrimin e qendrave e të shërbimeve të tjera në
fushën e shëndetit publik, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
14. Planifikimin, administrimin, zhvillimin dhe kontrollin e territorit, sipas mënyrës së
përcaktuar me ligj.
Funksionet e bashkive në fushën e shërbimeve sociale
Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:
1. Krijimin dhe administrimin e shërbimeve sociale, në nivel vendor, për shtresat në
nevojë, personat me aftësi të kufizuara, fëmijët, gratë, gratë kryefamiljare, gratë e dhunuara,
viktima të trafikut, nëna apo prindër me shumë fëmijë, të moshuarit etj., sipas mënyrës së
përcaktuar me ligj.
2. Ndërtimin dhe administrimin e banesave për strehimin social, sipas mënyrës së
përcaktuar me ligj.
3. Ndërtimin dhe administrimin e qendrave për ofrimin e shërbimeve sociale vendore.
4. Krijimin, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mirëqenien sociale, të fondit
social për financimin e shërbimeve, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
Funksionet e bashkive në fushën e kulturës, sportit dhe shërbimeve argëtuese
Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:
1. Zhvillimin, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave e të trashëgimisë kulturore me interes
vendor, si dhe administrimin e objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.
2. Organizimin e aktiviteteve kulturore dhe promovimin e identitetit kombëtar e lokal, si
dhe administrimin e objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.
3. Zhvillimin, mbrojtjen dhe promovimin e bibliotekave e të ambienteve për lexim, me
qëllim edukimin e përgjithshëm të qytetarëve.
4. Organizimin e aktiviteteve sportive, çlodhëse e argëtuese, zhvillimin dhe administrimin
e institucioneve e të objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.
Funksionet e bashkive në fushën e mbrojtjes së mjedisit
Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:
1. Sigurimin, në nivel vendor, të masave për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit
nga ndotja.
2. Sigurimin, në nivel vendor, të masave për mbrojtjen nga ndotja akustike.
3. Zhvillimin e aktiviteteve edukuese dhe promovuese, në nivel vendor, të cilat lidhen me
mbrojtjen e mjedisit.
Funksionet e bashkive në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, pyjeve dhe kullotave publike, natyrës dhe biodiversitetit
Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:
1. Administrimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit,
të transferuar në pronësi të tyre, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
2. Administrimin dhe mbrojtjen e tokave bujqësore e të kategorive të tjera të resurseve, si
toka të pafrytshme etj., sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
3. Krijimin dhe administrimin e sistemit vendor të informacionit dhe këshillimit bujqësor
e rural, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Krijimin dhe administrimin e skemave vendore të granteve për bujqësinë e zhvillimin
rural, të financuara nga buxheti lokal dhe/ose me bashkëfinancim nga të tretët, duke garantuar
akses të balancuar gjinor.
5. Administrimin e fondit pyjor dhe kullosor publik, sipas legjislacionit në fuqi.
6. Mbrojtjen e natyrës e të biodiversitetit, sipas legjislacionit në fuqi.
Funksionet e bashkive në fushën e zhvillimit ekonomik vendor
Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:
1. Hartimin e planeve strategjike të zhvillimit e të programeve për zhvillimin ekonomik
vendor.
2. Ngritjen dhe funksionimin e tregjeve publike dhe të rrjetit të tregtisë.
3. Mbështetjen për zhvillimin e biznesit të vogël, nëpërmjet veprimtarive nxitëse, të tilla
si panaire e reklama në vende publike.
4. Organizimin e shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor, si
informacioni për bizneset, aktivitetet promovuese, vënia në dispozicion e aseteve publike etj.
5. Publikimin e broshurave informative, krijimin e portaleve me profil ekonomik etj.
6. Dhënien e granteve financiare për mbështetjen e aktiviteteve të biznesit të vogël e të
mesëm, sipas mënyrës së përcaktuar në legjislacionin në fuqi, duke garantuar akses të
balancuar gjinor.
Funksionet e bashkive në fushën e sigurisë publike
Bashkitë janë përgjegjëse për garantimin e këtyre funksioneve:
1. Mbrojtjen civile, në nivel vendor, dhe administrimin e strukturave përkatëse, sipas
mënyrës së përcaktuar me ligj.
2. Garantimin e shërbimit të zjarrfikësve, në nivel vendor, dhe administrimin e strukturave
përkatëse, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
3. Garantimin e mbarëvajtjes së marrëdhënieve në komunitet, parandalimin dhe
ndërmjetësimin për zgjidhjen e konflikteve në komunitet.
4. Parandalimin e kundërvajtjeve administrative, forcimin, inspektimin dhe monitorimin e
zbatimit të rregulloreve e të akteve të njësive të vetëqeverisjes vendore brenda juridiksionit të
tyre vendor dhe në përputhje me përcaktimet ligjore.
Funksionet dhe kompetencat e deleguara
1. Funksionet dhe kompetencat e deleguara janë të detyrueshme ose jo të detyrueshme.
2. Funksione dhe kompetenca të detyrueshme janë ato të përcaktuara me ligj.
3. Institucionet qendrore, kur lejohet me ligj, autorizojnë bashkinë ose qarkun të kryejnë
funksione të caktuara, duke përcaktuar, kur është e nevojshme, procedurat e kryerjes e të
kontrollit për zbatimin e tyre.
4. Institucionet qendrore mund të autorizojnë bashkinë dhe/ose qarkun të ushtrojnë një
kompetencë të vetme për një funksion të caktuar.
5. Bashkisë ose qarkut mund t’u delegohen funksione dhe kompetenca të tjera jo të
detyrueshme, mbi bazën e një marrëveshjeje midis njësisë së vetëqeverisjes vendore
përkatëse dhe institucionit qendror përgjegjës me ligj për këtë funksion ose kompetencë.
6. Në çdo rast qeverisja qendrore u garanton njësive të vetëqeverisjes vendore
mbështetjen e nevojshme financiare për ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave të
deleguara.
7. Bashkia ose qarku, me nismën e tyre, mund të përdorin burimet e veta financiare për
ushtrimin e funksioneve e të kompetencave të deleguara, me synim ngritjen në nivel më të
lartë të shërbimit në interes të bashkësisë.