DETYRA DHE OBJEKTIVA

– Analiza e Qendrës Shëndetësore Kuman –

Analiza e Performancës së Qendrës Shëndetësore Kuman për vitin 2015 dhe planifikimi i objektivave dhe aktiviteteve për vitin 2016 u mbështetet nga projekti “Shëndet për të Gjithë (HAP),i financuar nga Agjensia Zviceriane për Zhvillim dhe Kooperim(SDC)

Në këtë takim morën pjesë: Përfaqsues të komunitetit dhe shoqerisë civile; përfaqsues të pushtetit vendor, Nënkryetari i Bashkisë Roskovec Z.Afrim Plaka, Drejtuesi i Njësisë Administrative Kuman Z.Riza Dyle, këshilltarë bashkiak; kryetarë fshatrash të Njësisë Administrative Kuman; drejtues të Qendrave Shëndetësore Roskovec, Kurjan, Strum; Drejtues Shkollash.

Në këtë takim Drejtoresha e Q.Sh. Kuman Znj. Blerina Buzi prezantoi arritjet dhe sfidat në zbatimin e aktiviteteve dhe planifikimin për vitin 2016.

Drejtoresha arriti të menaxhonte jo vetëm prezantimin e saj por njëkohësisht të sqaronte përfaqsuesit e komunitetit në lidhje me pyetjet që ata kishin.

Fotot që shoqërojnë këtë aktivitet.

FESTA E ABETARE-S

Shkolla 9-vjeçare “7 Dëshmorët” Strum organizoi ditën e premte 6 maj 2016 në Pallatin e Kulturës Roskovec, një koncert të bukur artistik me titullin “Festa e Abetares”. Prindër, nxënës, mësues dhe të ftuar nga shkolla të tjera ndoqën me interes përformancën e bukur të klasës së parë që kishte përgatitur mësuesja e pasionuar Majlinda Hallanjaku. I pranishëm ishte dhe zëvendëskryetari i Bashkisë z. Afrim Plaka.

Nxënësit e kësaj klase, të veshur bukur dilnin në skenë të qeshur e të gëzuar. Në program kishte këngë, recitime, vallzime etj.. Ata transmetonin dashurinë për atdheun, prindërit, mësuesit. Drejtori i shkollës z. Gazmend Toska ishte kujdesur deri në detaje për mbarëvajtjen e këtij koncerti.

PËRBALLË KOMUNITETIT

– Qendra Shëndetësore Strum në analizën e punës –

Takimi i Qendrës Shëndetësore Strum mbi aktivitetin dhe performancën gjatë vitit 2015 dhe planifikimi i objektivave dhe aktiviteteve për vitin 2016, i organizuar nga Drejtoresha, Zj. Besa Hyka. Takimi u zhvillua ne ambjentete e shkollës ” 7 Dëshmorët” në Strum me mbështetjen e Drejtorit Z.Gazmir Toska.

Në takim morën pjesë zëvendëskryetari i Bashkisë Z. Afrim Plaka, Nëndrejtori i DRF Z.Ilir Xhindi, drejtorët e shkollave, kryetarët e fshatrave të Njësisë Administrative Strum, stafi mjeksor, përfaqësues të komunitetit dhe përfaqësues të Projektit Zviceran “HAP- Shëndet për të Gjithë”, të cilët janë nismëtar dhe mbështetës të këtij aktiviteti.

PËRKUJTOHET 5 MAJI – DITA E DËSHMORËVE

Ditën e enjte më 5 Maj 2016 në qendër të qytetit, pranë lapidarit u mblodhën shumë qytetarë, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, nxënës të shkollave, intelektualë etj. Atmosferën përkujtimore e zbukuruan më shumë edhe tingujt e këngëve partizane, buqetat me lule.
Një kurorë me lule të freskëta vendosi Kryetarja e Bashkisë Roskovec zj. Majlinda BUFI. Kurora me lule u vendosën në emër të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, të familjeve të dëshmorëve si dhe nga rinia dhe nxënës të shkollave.

Në fjalën përshëndetëse zj. Majlinda BUFI transmetoi mesazhin e nderimit për jetën dhe veprën e dëshmorëve, të ruajtjes së vlerave të mëdha që solli akti i tyre heroik, të trashëgimisë në breza të historisë sonë të lavdishme. Në emër të organizatave pjesëmarrëse në ceremoni foli z. Vasil Kola, i cili falenderoi Bashkinë e Roskovecit për organizimin e mirë të kësaj ceremonie.

Më pas veteranë e pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve shkuan në mënyrë të organizuar në varrezat e dëshmorëve në Fier.

Kryetarja e Bashkisë Roskovec zhvilloi edhe disa vizita në familjet e dëshmorëve në Marinëz, Luar, Kuman dhe Strum.

NGA VIZITAT E KRYETARES SË BASHKISË

Kryetarja e Bashkisë Roskovec zj. Majlinda BUFI, vijoi axhendën e saj në përkujtim të 5 Majit- Ditës së Dëshmorëve. Pas ceremonisë solemne në qendër të qytetit dhe në varrezat e dëshmorëve Fier, zhvilloi edhe disa vizita në familjet e dëshmorëve në Marinëz, Kuman, Strum dhe Kurjan. Fotoreportazhi sjell pamje nga këto vizita.

QENDRA SHËNDETËSORE NË ANALIZË

– Sot zhvilloi analizën Qendra Shëndetësore Kurjan –

Të përfshirë me pasion në shërbim të komunitetit ku shërbejnë, mjekë dhe infermierë të Qendrës Shëndetësore Kurjan zhvilluan të mërkurrën datë 4 maj 2016 analizën e punës së tyre të deritanishme si dhe parashtruan para komunitetit objektivat dhe planifikimin e veprimtarisë për të ardhmen.

Drejtoresha e kësaj qendrë Dr. Majlinda Tafa paraqiti performancën e punës. Merrnin pjesë banorë, kryepleq të zgjedhur, intelektualë, drejtuesit e qendrave shëndetësore të Roskovecit, Strumit, Kumanit. Kjo analizë bëhet edhe me mbështetjen e projektit zviceran “Shëndet për të gjithë”.

Mori pjesë edhe zëvendëskryetari i Bashkisë z. Afrim Plaka.
Përmes videoprojektorit të pranishmit u njohën me problematikën e punës të sektorit të shëndetësisë. Gatishmëria për të qënë sa më pranë banorëve, kontrollet permanente të pacientëve me sëmundje kronike, kontrolli i nënave shtatzëna, takimet për sensibilizim dhe ruajtje ndaj sëmundjeve të riskut siç është kanceri I gjirit etj.

U sollën me transparencë para auditorit. Disa banorë ngritën probleme lidhur me kontrollin e ujit të pijshëm, përmirësimin e infrastrukturës së qendrëve shëndetësore, lidhja më e mirë me shkollën për të parandaluar disa dukuri të rrëzikshme për moshën e adoleshentëve.

NXËNËSIT DHE GJIMNAZISTËT NË OLIMPIADË

Nxënësit e shkollës “Alush Grepcka” Roskovec filluan sot ditën e martë një olimpiadë me karakter fiskulturore-sportive. Drejtoria e shkollës kishte marrë masa për të krijuar një atmosferë festive. U ndezën pishtarët e olimpiadës si një tregues i vazhdimsisë së aktiviteteve që kjo shkollë organizon.

Edhe gjatë kësaj olimpiade parashikohen lojra të ndryshme; vrapime në natyrë, gara me bicikleta, gara e balonave më të bukura etj.

Edhe gjimnazistët e shkollës “Adem Vrapi” filluan disa veprimtari në kuadrin e një olimpiade fiskulturore-sportive. Kjo spartakiadë shton larminë e veprimtarive edukuese të brezit të ri.

VERIFIKOHEN DËMET E SHKAKTUARA

Moti i keq me stuhi erërash të fuqishme dhe shira të rrëmbyeshëm kanë shkaktuar dëme të mëdha në disa fermerë në zonën Suk 1. Me interesim të drejtpërdrejtë të kryetares së Bashkisë Roskovec zj. Majlinda BUFI, u ngrit një grup pune për të verifikuar dëmet e shkaktuara. Të pranishëm në këtë verfikim ishin dhe specialistë të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit në Fier.

Sipas akt-kontrollit rezulton se janë shkatërruar serat diellore në një sipërfaqe totale prej 18 200 m2, prishje e strukturës mbajtëse, plasmas i dalë jashtë përdorimit e mbi të gjitha prodhimet e mbjella u dëmtuan totalisht. Ky verifikim është hapi i parë që do të shoqërohet me masa dhe vendime përkatëse sipas legjislacionit.

VIZITË E KOMPANISË KINEZE

Një kompani shtetërore kineze e quajtur SINOHYDRO vizitoi ditën e shtunë më 30 prill 2016 Bashkinë e Roskoevcit ku u pritën nga kryetarja zj. Majlinda BUFI. Kjo kompani ka si veprimtari të saj shërbime në sektorin publik si prodhim dhe montim impjantesh hidroketnike, sisteme elektrike me burime diellore etj.

Ka rreth një vit që operon në vendin tonë e në këtë kuadër shprehën interesin e tyre për të bashkëpunuar në fushat që ata operojnë. Në këtë takim të parë palët shprehën interesin e ndërsjelltë dhe më vonë do të shikohet konkretisht ecuria e bashkëpunimit. Kryetarja e bashkisë zj. Majlinda BUFI i falenderoi miqtë kinezë për interesimin e tyre.

SI ISHIN, SI JANË

– Kështu titullohet fotoreportazhi i radhës –

Pas një pune të mirorganizuar sektori i sherbimeve në Bashkinë tonë ka sjell ndryshimin për krijimin e mjediseve të kulturuara dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara. Po paraqesim disa foto krahasuese dhe ju mund ta nxirrni vetë përfundimin.